
Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë – SHGJOM (MAGO) shënoi “Javën e Shëndetit të Gruas” si pjesë të fushatës për sigurim të mbrojtjes më të mirë institucionale të grave dhe informim profesional shëndetësor për të gjitha kontrollet preventive. Në ngjarje u prezantua projekti “Ambulancë mobile gjinekologjike”, ndërsa u bisedua edhe për zhvillimin e strategjisë së re të vaksinës HPV në RMV, ku edhe meshkujt në mënyrë rutinore do të vaksinohen kundër HPV-së.
Në panel diskutim folën Prof. Dr. Gligor Tofoski, Prof. Goran Dimitrov, Doc. Dr. Daniela Ivanova Panova dhe Prof. Dr. Ana Daneva Markova, të cilët prezantuan aktivitetet dhe fushatat e mëparshme dhe të ardhshme të MAGO-s, që së bashku me disa institucione dhe organizata relevante fillojnë një proces të edukimit të vazhdueshëm për shëndetin e grave dhe nxitjes së ndryshimeve sociale në këtë fushë.
Në këtë ngjarje morën pjesë znj. Elizabeta Gjeorgievska-bashkëshorte e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Doc. Dr. Vlladimir Rendevski – Zëvendësministër i Shëndetësisë, znj. Magdalena Filipovska Grashkoska - Drejtoreshë e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues të fakulteteve në Shën Kirili dhe Metodi, përfaqësues të Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, sektorit joqeveritar dhe kompanive farmaceutike.