Debat publik për ndryshimin e Rregullativës ligjore për pacientët të cilët përballen me infertilite

Debat publik për ndryshimin e Rregullativës ligjore për pacientët të cilët përballen me infertilite

Në debatin publik me temë “Drejt ndryshimeve të Rregullativës ligjore për mbështetje më të madhe të pacientëve me infertilitet” që u mbajt në Kuvendin e RMV-së, organizuar nga Shoqata për Riprodhim Njerëzor dhe Fekondim të Asistuar “Për një fëmijë përmes IVF-së”, u propozuan konkluzionet, ndërsa theksi kryesor u vendos në rritjen e numrit të kuponëve për fekondim “in vitro” në gjithsej gjashtë, pavarësisht nëse është për fëmijën e parë, të dytë, të tretë apo të katërt.

Në debatin publik diskutuan folësit, deputetët, shoqatat, ku drejtoresha e FSSHRMV-së, Mr. Magdalena Filipovska – Grashkoska, mbajti një fjalim ku theksoi:

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të gjithë ta dimë është se për t’u dhënë kjo e drejtë që numri total i përpjekjeve të jetë gjashtë, DUHET të ndryshohet Ligji i Sigurimit Shëndetësor”, tha Filipovska – Grashkoska.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, theks të veçantë vendosi në aktivitetet e promovimit të shëndetit të grave, si një nga prioritetet e larta të ministrisë.

Në debatin publik, krahas propozimit për gjashtë kuponët për fekondimin “in vitro” u propozuan dhe prezantuan konkluzionet në vijim:

  • Pjesa më e madhe e terapisë të vendoset në Listën pozitive
  •  Nisja e një fushate për informim më të mirë të publikut për mundësinë e dhurimit;
  •  Krijimi i një regjistri softuerik për evidencën e procedurave in vitro
  •  Ekzaminime të rregullta gjinekologjike, përkatësisht skrining të grave të reja;
  •  Organizimi i qendrave të këshillimit në shkollat e mesme dhe fakultete
  • Rishikimi i rregullativës dhe përshtatja e tendencave moderne në bio-fekondimin.

Zoja Samandova-Petrusheva nga Shoqata për Riprodhim Njerëzor dhe Fekondim të Asistuar “Për një fëmijë përmes IVF-së” foli për rrugën që pacientët e kalojnë për të arritur dëshirën dhe ëndrrën për t’u bërë prindër dhe në emër të pacientëve që përballen me infertilitet dhe në emrin tim, si një paciente që është realizuar si prind pas 12 vitesh përmes fekondimit të shtatë “in vitro”.

Dr. Tatjana Gurzhanova, specialiste e in vitro-s, mbështeti iniciativën e Shoqatës për të rritur numrin total të kuponëve në gjashtë, pavarësisht nëse është për fëmijën e parë, të dytë, të tretë apo të katërt sepse përvoja tregon se nevoja më e madhe është për fëmijën e parë.

Specialiste gjinekologe obstetër dr. Elma Abdulla-Hasanagovski iu referua mundësisë që në Listën pozitive të përfshihet terapia me estrogjen për mbështetjen e shtatzënisë së hershme, ndërsa dr. Zoranço Petanovski, specialist i IVF-së dhe obstetër, potencoi nevojën për krijimin e një regjistri kombëtar (softuer) për evidentimin e procedurave in vitro.

Kryetarja e Klubit të deputetëve, Lolita Ristova, e përshëndeti idenë për një debat të tillë.

Pas debatit u propozua që konkluzionet e prezantuara të dorëzohen në Komisionin e Shëndetësisë të Kuvendit, Ministrinë e Shëndetësisë, Komisionin Shtetëror për Fekondim të Asistuar Biomjekësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Fondin e Sigurimit Shëndetësor.