Në Fondin e Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë u mbajt një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë në krye me prof. dr. Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë. Kjo është vizita e parë pas vitit 2012 e kryetarit të Qeverisë në Fond dhe është një tregues i qartë për përkushtimin e kësaj Qeverie për përmirësimin e shëndetësisë. Në takim u prezantua puna e Fondit në 100 ditët e para të Qeverisë.
Në kuadër të kësaj, krahas rinovimit të parë të Listës Pozitive nga viti 2014, u prezantua masa për ballafaqimin me një nga problemet më të mëdha në shëndetësi, dhe ajo është borxhi në rritje i 109-të institucioneve të shëndetit publik (ISHP). Borxhi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 është rritur për 1 miliardë denarë, pra, borxhi është rritur nga 4 në 5 miliardë denarë ose rreth 81 milionë euro. Niveli i tillë i borxhit rrezikon funksionimin e disa ISHP-ve ose mund të çojë në bllokimin e tyre. Për këtë problem, opinioni ishte i informuar.
Plani i Fondit për borxhin e ISHP-ve është sigurimi i fondeve shtesë, duke identifikuar njëkohësisht arsyet e borxhit, të cilat janë si në anën e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Arsyet variojnë nga planifikimi dhe financimi i pamjaftueshëm e deri te operacionet jo vendase. Për ilustrim, në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë, përkundër mbështetjeve të deklaruara publike, financat e nevojshme nuk janë buxhetuar dhe ka shumë shembuj për punë të papërgjegjshme.
Identifikimi i shkaqeve të borxhit është kyçe për të ndaluar rritjen e borxhit. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është çrrënjosja e korrupsionit dhe krimit, përgjegjësi duhet dhe do të ketë, sepse pa të nuk do të ketë përparim.
Njëkohësisht, Fondi me ribalancin e buxhetit shtetëror dhe me kursime siguroi fonde për zvogëlimin e borxhit për 2 miliardë denarë, pra e zvogëlon nga 5 në 3 miliardë. Fondet janë të shpërndara sipas madhësisë së buxhetit dhe borxhit të ISHP-së, në të gjitha qytetet dhe në të gjitha zonat. Rreth një e treta e ISHP-ve do të kthejnë borxhin tërësisht, kryesisht shtëpitë e shëndetit dhe në shumicën prej tyre do të shmangen bllokimet. Shërbimet e përbashkëta të ISHP-së, të cilat aktualisht janë të bllokuara, do të zhbllokohen gjithashtu.
Zvogëlimi i borxhit në nivel të qëndrueshëm është hapi i parë drejt një zgjidhjeje të plotë që do të ndodhë gjatë vitit 2025. Zvogëlimi i borxhit do të mundësojë hapësirë për masa të reja dhe Fondi definoi disa paketa masash, dhe atë: për onkologjinë; për gra, nëna dhe FAB (invitro); për fëmijë; sëmundjet kardiovaskulare; rajonalizim; oftalmologji; radiologji dhe të tjera. Këto paketa do të publikohen në periudhën e ardhshme dhe do të realizohen në gjashtë muajt e ardhshëm.
Paketa më e madhe do të jetë për onkologjinë dhe vetëm për Klinikën e Onkologjisë do të sigurohen 315 milionë denarë ose mbi 5 milionë euro. Kjo paketë do të ketë mbi dhjetëra masa edhe në diagnostikë edhe në terapi – theksoi drejtori i përgjithshëm i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski.
Njëkohësisht, rritja e kontrollit dhe përgjegjësisë dhe rritja e financave, janë pjesë e rrugës për rimëkëmbjen e shëndetësisë publike.
Në fund, drejtori i përgjithshëm Sasho Klekovski falënderoi prof. dr. Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë së Maqedonisë, Gordana Koçovska Dimitrievska dhe Ministrinë e Financave, ministrin e Shëndetësisë dr. Arben Taravari dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për mbështetjen, si dhe drejtorët e ISHP-së, drejtorët e sektorëve, këshilltarët, si dhe punonjësit e Fondit, të cilët me punë të palodhur në një kohë shumë të shkurtër përgatitën planin e zvogëlimit të borxhit!